Ismet Vejseli është tenori 24 vjeçar nga Kumanova, me hapa shumë të sukseshëm drejt një karriere botërore. Në shtator, pas një audicioni me pjesmarrës nga e gjithë bota, u bë pjesë e Operës së Sllovakisë, ku aktualisht luan në 6 shfaqje operistike. Ndërsa në muajin tetor ai performoi recitalin e tij të parë në Nju Jork.
Në vitin 2021 Ismeti fitoi çmimin e parë në konkursin internacional për këndim në Rusi dhe po në këtë vit, në konkursin për këndim operistik ,,Lazar Jovanoviç” në Beograd të Serbisë ai fiton çmimin e parë. Ka kënduar në disa nga skenat më të mëdha në botë dhe ka performuar në një koncert me orkestrën tradicionale të Moskës. Është ftuar të jetë pjesë e shumë masterklaseve si ai në Berlin, ku ka punuar me vokal pedagogen e Operës së Berlinit, Snezhana Nena Brzakoviç.
Ka përfunduar studimet në Fakultetin e Muzikës në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” , në drejtimin e solokëndimit në klasën e sopranos me famë botërore doc. Ana Durlovska. Në tetor të vitit 2021 ai pranohet në Akademinë e tenorit Raul Gimenez ,,Barcelona Concertante” i cili renditet në 10 tenorët më të mirë në histori.